Vrasja e Sabrinës, nisin hetimet për gjyqtarin që nxori nga psikiatria ish-bashkëshortin

Vrasja e 23 vjeçares Sabrina Benga me bukë në gojë në shtëpinë e prindërve në Zhupan të Fierit nga ish bashkëshorti, ishte një krim I paralajmëruar.  Një vit më parë autori, Elton Metaj i mbajti peng për gati 5 orë dhe u desh ndërhyrja e RENEA-s që ai të dorëzohej dhe të lirohej familja.

Prej asaj kohe ai ndodhej prapa hekurave deri në korrik të këtij viti kur dhe u lirua.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani njofton se ka nisur vlerësimi i rastit të vrasjes së 23-vjeçares nga ish-bashkëshorti.

"Prej momentit të parë, jam duke ndjekur me vëmendje raportimet mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes së një 23 vjeçareje nga ish bashkëshorti në Zhupan të Fierit. Ka nisur menjëherë vlerësimi i rastit dhe i të dhënave që dalin në media mbi veprimet e magjistratëve," shkruhet në Twitterin e Metanit.

Si u lirua?

Mësohet se vitin e kaluar Gjykata e Fierit kishte marrë  vendim të mbyllte 31 vjeçarin në psikiatri pas ekspertimit psikik që i kishin bërë mjekët dhe që kishin dalë në konkluzionin se I arrestuari vuante nga sëmundje psiqike dhe ishte i paparashikueshëm në veprimet  që kryente ndaj të tjerëve. Akt ekspertiza e kishte nxjerrë të papërgjegjshëm.

Në këtë kuadër Prokuroria e Fierit kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga ‘arrest me burg në mbylljen e spitalit psikiatrik të Zaharisë në Krujë. Dhe gjykata e Fierit kishte pranuar kërkesën e prokurorisë.

Pas një viti

Në muajin korrik 2021 avokati Kujtim Cakrani ka kërkuar ndryshimin e masës nga izolim në spital në ndjekjen e mjekimit ambulator në ambientet e shtëpisë.

Kërkesa është bërë në gjykatën e Fierit dhe gjyqtari që shqyrtoi dosjen ishte Pirro Sota.

Në datën 20 korrik 2021 gjyqtari ka vendosur që autori të dilte nga spitali psikiatrik dhe shërbimin mjekësor ta merrte në shtëpi.

Vetëm një muaj e pak ditë  pasi doli nga burgu, Elton Metaj ka udhëtuar drejt fshatit Zhupan të Fierit për të ekzekutuar ish bashkëshorten me të cilën kishin dhe një fëmijë dy vjeç.

Elton Metaj, ishte proceduar për akuzën për kanosje me armë ndaj vjehrrit dhe kunatit, dhunë ne familje, Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe kundërshtim të forcave të rendit./OraNews/