Ekskluzive/ Gjyqtari, prokurori e 2 ekspertët psikiatër që liruan killerin Elton Bengaj

Ora News siguron ekskluzivisht vendimin e gjyqtarit të Fierit, Piro Sota, që liroi nga spitali psikiatrik i Zaharisë, Elton Bengaj alias Meta, vrasësin e 23-vjeçares Sabrina Bengaj.

Në seancën e lirimit nga qelia të Bengaj, gjyqtari Sota ka pasur në krah dhe prokurorin e Fierit, Dorian Tafilaj, i cili ka qenë dakord me kërkesën e të arrestuarit Elton Bengaj, duke shprehur vullnetin për nxjerrjen e tij nga spitali psikiatrik.

Ora News zbulon vendimin e plotë të datës 26 korrik 2021, ku Piro Sota, prokurori Tafilaj dhe mjekët kanë qenë dakord për kalimin e Bengaj nga spitali psikiatrik në Zahari të Krujës në marjen e mjekimeve ambulatore në ambientet e shtëpisë.

Ekspertiza

Në vendimin e gjykatës, ekspertët psikiatër Ilda Aliko dhe Dorian Skënderaj kanë argumentuar se:“…ndaj shtetasit Elton Bengaj rekomandohet masa mjekësore e mjekimit të detyruar ambulator nën kujdesin e një familjari dhe ndjekjen rregullisht tek specialisti psikiatër…”.

Me këtë akt-ekspertim që mban datën 21 korrik 2021, dy ekspertët ja lenë topin gjyqtarit të çështjes Piro Sota, duke i rekomanduar këtij të fundit të vlerësojë vetë fizibilitetin e kësaj gjendjeje.

Ekspertë tregojnë se Elton Bengaj është i paparashikueshëm, por në fund rekomandojnë që gjyqtari ta bëjë vetë vlerësimin, raporton Ora News.

Nga ana tjetër në seancën gjyqësore, babai i Elton Bengaj alias Meta, shtetasi Bashkim Meta, ka shpjeguar para gjyqtarit Sota se merrte përsipër se do kujdesej dhe do ta shoqëronte djalin e tij, Elton, në çdo institucion mjekësor që do ishte nevoja.

Nisur nga këto kushte gjyqtari i Fierit, Piro Sota, ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurisë nga “Mjekim i detyrueshëm në një institucion mjekësor” në Zahari në “Mjekim i detyruar ambulator në ambientet e shtëpisë”.

Ndërkohë të gjitha shpenzimet e këtij gjyqi prej 125 mijë lekë të vjetra, gjyq i cili ishte kërkuar nga Elton Bengaj dhe që shërben për lirimin e tij nga spitali, i janë ngarkuar buxhetit të shtetit.

Një muaj e 10 ditë pasi fitoi lirinë Elton Bengaj alias Meta ekzekutoi me automatik gruan e tij 23 vjeçare duke e lënë të vdekur mbi tavolinën e bukës. /OraNews/

 

Dokumenta bashkëngjitur