Cilën vaksinë mund të bëjnë studentët? Ja këshilla e specialistes Bino

Ka një lloj hezimiti nga të rinjtë për t'u vaksinuar. Shefja e shërbimit infektiv, Silva Bino në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora u shpreh se këto janë mite që nuk bazohen në fakte.

"E kemi kaluar dhe nuk e bëj vaksinën," është e gabuar tha Bino. Sepse mund ta kesh kaluar, por nuk ke krijuar mbrojtje imunitare.

Bino u shpreh se ata mund të zgjedhin cilëndo vaksinë. AstraZeneca rekomandohet për personat mbi 20 vjeç, por për shkak të efekteve anësore që mund të ketë të rinjtë kanë mundësinë e zgjedhjes.

Bino: "Të rinjtë mund të vaksinohen me çfarëdolloj vaksine, mund ta zgjedhin vaksinën  e tyre. Ne  nuk kemi rekomanduar plotësisht vaksinën AstraZeneca, sidomos tek femrat e reja. Vaksina AstraZeneca mbi  moshën mbi 20 vjeç ne e rekomandojmë si vaksinë, por personi mund  të zgjedhë dhe një tjetër për shkak të disa efekteve anësore që janë zbuluar se kanë lidhje me vaksinën. Ne i ofrojmë të gjitha llojet e vaksinave."

Zonja Bino u shpreh se mjeti më i mirë që kemi për momentin është vaksina, por për të shmangur përhapjen e virusit  duhen respektuar të gjitha masat e vendosura të distancimit social.

Bino: "Vaksinimi është mjeti më i mirë që ne kemi kundër Covid, por duhet të zbatohen edhe masat e tjera të distancimit social. Vaksinimi na mbron nga format e rënda, por për të parandaluar përhapjen e sëmundjes duhet të zbatojmë dhe masat e tjera."

Përsa i përket varianteve të reja, Bino tha se janë duke e monitoruar situatën. Varianti "Mu" i zbuluar së fundmi mund të kthehet në një shqetësim, por ka nevojë për studime.

Bino: "Monitorimi i varianteve është një element i rëndësishëm. Kemi "Deltën" që qarkullon në vendin tonë dhe duhet ët jemi të kujdesshëm në lidhje me variantet e tjera. Varianti "Mu" mund të kthehet në një variant shqetësues dhe t'i shpëtojë edhe vaksinimit, por ka nevojë për studime."

Situata në spitale vazhdon të përballohet, sipas shefes së shërbimit infektiv.

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku