Frikë nga vaksina/ Gratë shtatzëna hetizojnë, mjekja: Dozat rritin imunitetin e foshnjave
Gratë shtatzënë hezitojnë të marrin dozën anti-Covid pasi kanë frikë për shëndetin e tyre dhe të fëmijës. Por mjekët obstetër-gjinekologë thonë se nuk ka asnjë efekt anësor, madje vaksinat forcojnë edhe imunitetin e fëmijës.
Mes personave që po hezitojnë më së shumti për tu vaksinuar janë gratë shtatzëna.
Mjekët specialistë thonë se nuk ka asnjë rrezik si për nënën edhe për foshnjën.
Teuta Bare, e cila shërben në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë", thotë se i është përgjigjur shqetësimeve për efektet anësore të vaksinës.
"Normale që ka pasur hezitim sepse më parë nuk rekomandohej bërja e kësaj vaksine dhe na pyesin dhe ne natyrisht që japim informacionin tonë. Për më tepër e rekomandojnë që të marrin dhe një informacion tjetër te infeksionistët të cilët merren me të dhëna të tilla më të detajuara," tha mjekja.
Mjekja Bare gjithashtu thotë se vaksinimi mund të kryhet në çdo moshë të shtatzënisë.
"Që në 3-mujorin e parë, madje dhe gjatë laktacionit gjatë ushqyerjes me gji të bebit. Unë po përmend 3-mujorin e parë sepse këtu është ajo pika e frikshme për bërjen e vaksinës. Rekomandimet e CDC të gushtit 2021 janë të tilla që bërja e vaksinave është e sigurt," tha Bare.
Sipas saj, nënat e vaksinuara lindin fëmijë me imunitet më të fortë.
"Shtatzëna bën vaksinë dhe jo vetëm rrit imunitetin e vet por në të njëjtën kohë bën që dhe bebi të jetë rezistent dhe të jetë mos sëmuret nga Covid," tha mjekja.
Me rritjen e numrit të të infektuarve është shtuar edhe numri grave shtatzënë me Covid, mes të cilave ka edhe të shtruara në spitale.
"Natyrisht kur rritet numri i rasteve në popullatë edhe tek shtatzënat numri është rritur. Faktikisht kemi telefonata që na tregojnë për shenja të këtyre lloj varianteve dhe që vërtetohen duke bërë tamponin. Me informacionin tonë ka gra të shtuara në infektiv, kemi dhe paciente në maternitet që janë në ambient të veçantë jo bashkë me pacientët e tjerë, por që janë në gjendje të mirë," tha Bare.
Në Shqipëri rreth 23 për qind e popullatës i ka marrë të dy dozat e vaksinës anti-Covid, ndërsa 6.6 për qind janë me një dozë./OraNews/
