Rinis "Check-Up", kontrolli bazë mjekësor edhe për personat që kanë kaluar koronavirusin
Pas një ndërprerjeje prej afro dy vitesh, ministria e Shëndetësisë ka rikthyer shërbimin e "Check-Up" në qendrat shëndetësore.
Duke u nisur nga kërkesat e shumta të pacientëve për të bërë kontrollin bazë e sidomos pasi kishin kaluar koronavirusin.
Mjekja e familjes, Eriona Hereni, tregon për procedurat që po ndiqen për të pritur pacientët.
"Këto dy ditë ne kemi nxjerrë dhe listën e personave të cilët do të njoftohen për kryerjen e "Check- Up", por përparësi këtë radhë kanë personat që kanë kaluar Covid me qëllim që t'i rishikojmë edhe një herë. Duke qenë se Covid bëri një prekje multi-organore të pacientëve të cilët u prekën," tha mjekja.
Përveç risisë së këtij viti, "Check- Up" në qendër të vëmendjes ka edhe të sëmurët kronikë.
"Shumë i rëndësishëm është edhe diagnostikimi i diabetit, madje dhe pacientët të cilët janë me këtë sëmundje kronike kanë qenë ata që kanë kërkuar më shumë kryerjen e "Check- Up" .
Nga "Check- Up" bëhet kontrolli bazë edhe i zemrës që fillon me analizat kryesore biokimike, kontrolli i yndryrnave dhe kontrolli i veshkave," tha mjekja.
Problemet e shëndetit mendor janë një tjetër shqetësim që trajtohen në këtë paketë.
"Një në tre pacientë të cilët janë prekur nga Covid kishin probleme emocionale ose probleme të shëndetit mendor. "Check- Up" ka një pyetësor bazë për këtë dhe vlerëson gjendjen e pacientit," tha mjekja.
Shërbimi "Check- Up" do të ofrohet për grupmoshën 35-70 vjeç, falas në të gjitha qendrat shëndetësore.
Shërbimi "Check- Up" u ndërpre në mars kur u pezulluan të gjitha vizitat mjekësore të planifikuara, për të shmangur kështu kontaktet me njerëzve dhe rrezikun për përhapjen në masë të pandemisë./OraNews/
