Me diabet pas Covidit, 69-vjeçarit i shfaqet për herë të parë problemi me nivelin e sheqerit në gjak

Diabeti është një nga sëmundjet që u shfaqen pacientëve që kanë kaluar Covidin në formë të rëndë. Një prej tyre është dhe Skënder Mema, i cili është detyruar të rikthehet në spital vetëm pak ditë pasi doli negativ. Ndërkaq në të dy qendrat ku trajtohen të sëmurët, numri i të shtruarve i ka kaluar 120.

Pacientët që kalojnë Covidin në spitalin Infektiv, shpesh u shfaqen sëmundje të tjera që nuk i kanë pasur më parë.

Skënder Mema është një prej tyre. Edhe pse 69-vjeçari ka qëndruar vetëm 4 ditë i shtruar, pasi la spitalin iu shfaq diabeti.

Bashkëshorja e tij tregon se pasi e kthyen në shtëpi gjendja e tij u përkeqësua.

"Erdhi në shpi, nuk hëngri fare dje, as dy lugë supë. Me 515 diabetin, sikur ishte i vdekur. Nuk e ka pasur diabetin, unë po, kam 20 vjet me insulina."

Këtë të hënë, Skënder Mema u rikthye përsëri nën kujdesin e mjekëve për tu trajtuar për pasojat post-Covid.

"E solli urgjenca, ishte me 83 oksigjen dhe diabetin e kishte 300 dhe që i kam bërë insulinë nga të miat, nuk i ulet."

Për arsye shëndetësore Mema nuk ishte vaksinuar. Por të tjerë megjithëse kanë pasur të dyja dozat e vaksinës, sot janë në gjendje të rëndë, ndërsa për disa mjeku nuk u ka dhënë shpresë për jetën. 

"64-vjeç, e ka bërë vaksinën. Doktoresha na tha është në gjendje shumë të rëndë, përgatituni për çdo gjë."

"Parametrat nuk janë shumë të mira, shpresojmë të përmirësohet. I kishte të dyja dozat."

Në dy spitalet Covid, janë të shturar rreth 140 pacientë nga të cilët rreth 95 të Infektivi dhe rreth 33 te Covid 3.

Vaksina të injektuara që prej fillimit të fushatës janë 1 532 461 dhe sipas Institutit të Shëndetit Publik, 670 551 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat anti-Covid.

Mbi 95 për qind e rasteve në Invektiv janë pacientë të pavaksinuar.