Kurti-Vuçiç III pa datë e axhendë/Takimi i tretë është parashikuar në shtator por palët nuk kanë konsensus
Megjithëse është paralajmëruar se në shtator do të mbahet takimi i tretë ndërmjet kryeministrit Kurti i Kosovës dhe presidentit Vuçiç i Serbisë, ende nuk është gjetur konsensusi për datën dhe axhendën e diskutimeve. Opozita dhe shoqëria civile shprehen skeptike për rezultatet.
Ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë pritet të mblidhen në Bruksel për të koordinuar axhendën e dialogut dhe takimin e mundshëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.
Ndërmjetësuesit e dialogut thonë se nuk ka pajtueshmëri për datën dhe sipas zyrtarëve në Prishtinë, as për temat nuk është vendosur.
Nga partia opozitare, LDK-ja, anëtari i kryesisë Muhamet Hamiti fajëson qeverinë se duke ruajtur statukuonë po dëmton vendin.
“Duket qartë se presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm për zgjidhje, por përpiqet të gjejë alibi për të mos gjetur zgjidhje. Këtë alibi këtë po e kërkon, por Kosova, Qeveria dhe kryeministri ynë nuk guxon t’i jap mbulesë Vuçiqit në këto përpjekje të tij djallëzore. Ata janë të interesuar për status-qou, Kosovës nuk i intereson ajo, ajo duhet të kërkojë zgjidhje me njohje reciproke në kufijtë aktual në mënyrë që ne si shtet i përgjegjshëm gradualisht të bëhemi pjesë e sistemit ndërkombëtar.”-shprehet ai.
Takimi i së martës dhe të mërkurës pritet të mbahet në nivel teknik mes zv.kryeministrit të Kosovës dhe drejtuesit të zyrës për të në Serbi.
Përballja e fundit e nivelit më të lartë, më 19 korrik, nuk nxori rezultate dhe Demush Shasha i Institutit EPIK nuk pret risi as këtë radhë.
“Nuk duhet pritur ndonjë progres i veçantë, s’duhet pasur ndonjë pritje sa i përket takimit të shtatorit. Ajo çfarë kemi parë edhe në dy takimet e kaluara është se dy palët janë duke shfrytëzuar dialogun për qëllime të veta të brendshme politike. Nuk ka për momentin një mjedis të favorshëm politik për progres të dialogut. Kjo është për momentin edhe e kuptueshme sepse në dy vendet shumë shpejtë do të ketë zgjidhje. Kosovë në tetor do të kemi zgjedhje lokale, në Serbi në prill të vitit ardhshme kemi zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Prandaj në një mjedis zgjedhor nuk duhet pritur ndonjë progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.”- thotë ai.
“Nuk po shoh shtytje të mëdha, për sa kohë që nuk ka shtytje të madhe, Serbia edhe më pak do të ketë shtytje për të gjetur zgjidhje që patjetër duhet të përfundojë me njohje. Prandaj po them që Kosova nuk duhet të bëjë asgjë që t’i jap justifikim ose mbulesë Serbisë për ta zvarritur këtë proces.”- shprehet Hamiti.
Përveçse i mban të acaruara raportet dypalëshe, Brukseli ka deklaruar se mungesa e dialogut Kosovë-Serbi po pengon edhe avancimin e dy vendeve në Bashkimin Europian.

