Joanikije zgjidhet mes protestave/ Bllokohet rruga për te Manastiri i Cetinjes, mitropoliti transportohet me helikopter
Vazhduan edhe sot protestat për ngjitjen e mitropolitit Joanikije në krye të Kishës Ortodokse Serbe për Malin e Zi. Përplasje pati në Cetinje ku u mbajt ceremonia e shugurimit dhe ku ndodhet edhe selia e Mitropolisë së Malit të Zi.
Mitropoliti Joanikije ka hipur në fronin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, pavarësisht protestave dhe përleshjeve kundër tij.
Ceremonia e kurorëzimit u zhvillua të dielën në manastirin e Cetinjes, ku ai dhe patriku serb, Porfirije, mbërritën me helikopter të shoqëruar nga forcat e armatosura dhe njësitë anti-terror.
Qytetarët i vunë zjarrin një muri me goma në hyrje të qytetit dhe tentuan të rrëzojnë barrikadat prej metali rreth manastirit.
Përplasjet me policinë çuan në arrestime e plagosje.
"Vërejmë shumë ndasi në Cetinje, për shkaqe artificiale. Bëmë gjithçka për t'i shmangur por do duhet kohë t'i mposhtim dallimet e forta etnike, politike dhe fetare që ekzistojnë ende," tha mitropoliti Joanikije pas marrjes së titullit të lartë nga kryepeshkopi serb, Porfirije, i cili i sugjeroi të tentojë paqen e të mos i nxitë më tej trazirat.
Kryeministri i Malit të Zi tha se ngjarjet në qytetin jugor u porositën nga lidershipi i partisë së presidentit Milo Gjukanoviç, tashmë në opozitë.
Konflikti i socialistëve me Kishën Ortodokse Serbe vitin e kaluar u kushtoi atyre pushtetin dhe e nxori klerin në fushatë përkrah rivalëve proserbë që tani e udhëheqin vendin.
Opozitarët socialistë thonë se Kisha Serbe cenon pavarësinë e vendit dhe i jep Beogradit ndikim më të madh në politikat e Podgoricës.
Mes protestës kundër shugurimit të mitropolitit Joanikije, disa priftërinj serbë në Cetinje u shfaqën ditën duke kënduar këngë nacionaliste, siç ishte ajo "Kur ushtria të kthehet në Kosovë".
Zv.kryeministri shqiptaro-malazez, Dritan Abazoviç, i cili më herët koordinoi mbajtjen e liturgjisë në selinë e Mitropolisë, tha se nuk e shqetësonin këngët por tensionet në vend.

