FIFA, propozimi i Wenger: Botërori dhe Europiani të luhen çdo dy vite

E imagjinoni dot që çdo verë të ketë një herë një Kupë Bote dhe një here një Kampionat Europian. Ndoshta do të ishte fantastike si ide, ndoshta do të ishte e tepërt.

Është një propozim që sigurisht do të sjellë ndarje mes tifozëve, trajnerëve dhe lojtarëve dhe është Arsene Wenger ai i cili ka dhënë këtë ide, shkruan Ora News.

Ish trajneri i Arsenalit, nuk e thotë në cilësinë e një ish tekniku por si zyrtar i FIFA-s, duke qenë se mban postin e përgjegjësit për zhvillimin e futbollit në nivel global.

Në një intervistë për “L’Equipe”, Wenger sqaron se kalendari nuk do të ngjishej për klubet dhe lojtarët por do të riformatohej dhe do të ketë ndoshta më pak grumbullime të përfaqësueseve të cilat aktualisht mblidhen çdo muaj.

“Njerëzit duan ndeshje që janë të lehta për t'u kuptuar dhe ku luhet për diçka të madhe. Dhe vetë lojtarët nuk duan të luajnë ndeshje në kompeticione që nuk i stimulojnë ata. Ne duhet të kemi guximin të themi se bukuria dhe prestigji i një eventivaret mbi të gjitha nga cilësia e vetë kompeticionit. Zhvillimi i Botërorit dhe Europianit çdo dy vjet nuk ka lidhje me SuperLigën, ajo nisi nga parimi më negativ që mund të ekzistojë: nuk u bazua në cilësinë, garën sportive dhe rezultatet, por në prestigjin e klubeve. Edhe ekipet e mëdha mund të bien një kategori më poshtë dhe nëse e vrasim këtë hierarki, vrasim thelbin e garave”.

Por si do të funksiononte një Kupë Bote çdo dy vite dhe si do të zhvilloheshin garat kualifikuese kur që tani ka probleme të mëdha për grumbullimet e lojtarëve me përfaqësueset? Wenger e ka tashmë një zgjidhje dhe duket interesante.

“Pauzat e kombëtareve do të reduktohen gjatë sezonit nga 4 herë grumbullime në 2 ndërprerje. Në këtë mënyrë do t’u jepej mundësi lojtarëve dhe klubeve që të qëndrojnë pa ndërprerje për 7 muaj për kompeticionet e tyre. Pauzat e kombëtareve nuk do të përplasen me aktivitetet e klubeve duke eliminuar tensionet që po ndodhin me ekipet elitare në Europë. Do të kishte për shembull, më pak udhëtime ndërkontinentale dhe pas këtyre ndeshjeve eliminatore, lojtarët do të kenë 25 ditë pushimi”, shpjegoi Arsene Wenger.