Kombëtarja nis përgatitjet për Hungarinë, Bajrami dhe tifozët armët plus për Rejan

Një ditë pas asaj humbjeje të rëndë 4-1 me Poloninë në Varshavë, kombëtarja kuqezi është rikthyer në bazë dhe si gjithmonë në kompleksin “Tropikal” është grumbulluar për të punuar për sfidën e dytë eliminatore.

Disfata me Poloninë duhet kaluar sa më shpejt që të mos ndikojë në ndeshjen ndaj Hungarisë teksa, grupi i lojtarëve zhvilloi stërvitjen e parë pas kthimit nga Varshava.

Trajneri Reja e theksoi në fjalën e tij pas humbjes se Shqipëria nuk ka “vdekur” dhe tani duhet të bëjë kthesën ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena” dhe këtu do të ketë dy armë plus për t’i përdorur, shkruan Ora News.

E para është rikthimi i tifozëve, aq shumë të rëndësishëm të cilët mungojnë që para pandemisë në 2020 dhe ndihma e tyre do të duhet patjetër për të karikuar kuqezinjtë.

Arma tjetër është edhe Nedim Bajrami. U pa shumë mirë që Shqipërisë i mungon një lojtar që gjuan dhe kërkon portën dhe fantazisti 22-vjeçar është lojtari perfekt. Ai u stërvit normalisht me skuadrën dhe nuk diskutohet aspak aktivizimi i tetovarit duke parë edhe se Bare me Gjasulën janë të skualifikuar duke llogaritur edhe Hysajn këtu me kartonat që morën ndaj Polonisë.

Ushtrimet e sotme ishin të lehta dhe fizike për të mos ngarkuar lojtarët dhe grupi është i plotë ku ana fizike është shumë e mirë dhe të gjithë presim një reagim të fortë.