'Rama 3'/ Bledian Koka: Largimi i Ballës tregon që ka marrëveshje të heshtur mes PS dhe PD
I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, gazetari Bledian Koka, ka komentuar emrat e rinj të kabinetit Rama 3 të cilat u bën publike ditën e sotme.
Ai shprehet se ne qeverinë ‘Rama 3’, nuk kishte asnjë të re, teksa shton se në vendin tonë nuk ka parti politike që të mblidhen, të bëjnë propozime, në mënyrë që në fund të fitojë më i miri.
Koka thekson nuk ka një qeveri që ka një vizion, por që sipas tij është një delegim i oligarkëve që sundojnë vendin dhe e varfërojnë atë.
"Një qeveri akoma më të butë. Një qeveri të paqtë e njerëzve të nënshtruar dhe gati gati personale. Në analizën time është një qeveri me afat skadence. Një qeveri e cila shumica ishte një konfirmim i pozicioneve të caktuara. E njëjta muzikë me të njëjtin marzh korrupsioni, me të njëjtin marzh nënshtrimi ndaj kryeministrit Rama.
Nuk është se kishte ndonjë të re. Nuk kemi një qeveri që përfaqëson interesat e vizionin e kësaj mazhorance për të qeverisur por kemi thjesht delegimin e disa oligarkëve që për mua bëjnë 5+1 e famshëm, të njerëzve që e sundojnë këtë vend, nuk e qeverisin por vazhdojnë ta varfërojnë. Termi parti politike tani është zhdukur, pra nuk kemi parti politike të cilat mblidhen, bëjnë propozime, dhe në fund fare fiton më i miri."
Ai shton se në vendin tonë partitë politike kanë vetëm interesa personal të partive përkatëse.
"Në Partitë politike shqiptare si në PD dhe PS unë shoh një tentativë të liderëve aktual për të imponuar është vullneti i tyre. Këtu nuk ka më parti politike e ideologji, por ka vetëm interesa personal të partive përkatëse, të cilat materializohen duke bërë emërime si zgjedhje."
Në lidhje me Taulant Ballën, i cili ka humbur postin e numrit dy të selisë rozë, si dhe është larguar edhe nga drejtimi i PS-së në Qarkun e Elbasanit, Koka thotë se ky largim tregon se ka një marrëveshje të heshtur mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.
"Unë e shoh si çdo lëvizje tjetër të Ramës, i përdor këta njerëz, i fut me kokë në thes, me krimin me bandat. Të gjithë personazhet që ne përmendëm, Balla, Xhafaj, të gjithë janë të rënduar nga akuza. Të gjitha këto akuza, të gjitha këto përfshirje , i bën përmes një bekimi fillestar që jep kryeministri Rama, nga i cili kanë përfitime, dhe në fund fare ata që e pësojnë janë këta që I besojnë Ramës. Balla është konfirmim i kësaj gjëje. Ju fut me kokë korrupsionit, ju fut me kokë një beteje politike të urdhëruar nga Ram. Ëndrra në sirtar e Ballës që tashmë është bërë edhe barcaletë në qarqet politike për t’u bërë Ministër, edhe kësaj here mori thjesht gjuhën e nxjerre jashtë të Kryeministrit Rama për ta tallur atë. Rama nuk mund t’I bëjë të gjitha punët vetë.
Sigurisht që duhet ndonjë që të çojë përpara propagandën e korrupsionit sepse kanë hedhur firmat. Ky është thjesht vazhdimi i përrallës, por dëmet i pësojnë qytetarët shqiptarë. Duket sikur ka një lloj paqeje të përbashkët, pra edhe grupi që emëroi Basha, që nuk besoj se aty nuk ka pasur zgjedhje. Shoh një lloj konformizimi të përbashkët mes grupacionit të paqtë dhe pa eksperiencë të PD dhe emërimet që bëri Rama sot.
Duket sikur ka një lloj paqeje në heshtje mes dy partive kryesore. Largimi I Ballës që ishte një nga zërat kritikë, apo emërimi i Nikollës, kjo tregon që shoh të materializur marrëveshjen mes PD dhe PS përmes emërimeve dhe shkarkimeve që ndodhën."
Intervistoi Kostana Morava, përgatiti për online Anila Kolgjini

