“Freski” me natyrë të qetë, Lulet e Shkodrës, muzë për piktoren Greta Tahiraga
Është koha e plazhit, por piktorja Greta Tahiraga i fton shkodranët në Galeri. Ajo ka prezantuar 33 punime me natyrë të qetë, ku mbizotërojnë lulet e Shkodrës.
Piktorja Greta Tahiraga erdhi përpara publikut në këto ditë të nxehta gushti, plot freski dhe ngjyra që i përcjell përmes pikturave të saj që frymëzimin e kanë nga natyra e qetë.
Nga puna e 3 viteve ka zgjedhur 33 punime.
Mbizotërojnë lulet, për të cilat Shkodra njihet si qytet, e ku i ka kushtuar mbi 150 këngë.
Këto të fundit kanë qenë një tjetër muzë për artisten, që i ka reflektuar më pas në telajo.
Secili objekt përbën për piktoren qendrën e hulumtimit artistik ku çdokush njeh dhe evidenton përditshmërinë e tij.
Natyra e qetë për Greta Tahiragën është kujtesa e së tashmes, e cila gërsheton brenda vetes objekte të jetuara, ndjenja dhe copëza antropologjie të kulturës shkodrane.
