"Mblidhen njerëz për të dalë në televizion me mua", Rama pranon farsën e anëtarësimeve të reja

Kryeminsitri Rama përballë socialistëve pranoi farsën e anëtarësimeve të reja në parti. Ai u shpreh se do të ketë një riorganizim tërësor jo vetëm në aspektin e shpërndarjes së forcave në territor, por edhe në aspektin përmbajtësor të partisë dhe të rritjes së hapësirës së kushteve.

Rama: " Akademia politike është një mjet i ri që na duhet pa humbur kohë. Për ta ndërtuar me shumë vetëdije patriotike ,me përpjekje intelektuale dhe me durim milingone një qasje të re, duhet të jetë dhe qasja e kryesistëve, e sekretariatit të ri, qeverisë së re padiskutim.

Një riorganizim tërësor nga lart poshtë jo vetëm në aspektin e shpërndarjes së forcave në territor, por edhe në aspektin përmbajtësor të partisë, të rritjes së hapësirës së kushteve, të përfshirjes jo me fjalë dhe jo duke bërë nga ato farsat e anëtarësimeve të reja ku mblidhen njerëz për të dalë në televizion me mua dhe ku jepen karta anëtarësie për herë të dytë, apo ku thirren familjarë.

S'kam asnjë gjë unë me vajzat dhe djemtë e secilit prej jush, flas për mungesën totale të besimit se mund të ndodhë kjo, që kjo parti të behët një parti interesi për shumë më tepër vajza dhe djem që të gjejnë këtu jo vetëm punë në shtet, por nxitje dhe pasionin që gjejnë  kur bëjnë aktivitet social. Ku ka aktivitet social më sfidues se politika dhe gara politike. "