Japonia gjen grimca të zeza në vaksinën Moderna
Vaksina amerikane e Covid-19, "Moderna", ka trembur sërish publikun japonez, pak ditë pasi dyshohet se shkaktoi dy vdekje të papritura.
Japonia njoftoi të martën se një sasi dozash që do të përdoreshin për imunizim në prefekturën lindore të Kanagauas, rezultuan se përmbanin grimca të zeza ende të paidentifikuara.
Substancat u dalluan me sy të lirë nga një farmacist i cili po i verifikonte flakonët për siguri, pasi më herët rreth 3,800 persona ishin vaksinuar me dozat e të njëjtit furnizim.
Kompania "Takeda" e cila shet dhe shpërndan vaksinat në Japoni, informoi se gjatë procesit të prodhimit të vaksinave, në raste të rralla ndodh që solucioni i vaksinës të ndotet nga tapa prej gome dhe flakonët duhen inspektuar për ngjyra ose materiale të dyshimta përpara përdorimit.
Mbi 55 % e 125 milionë japonezëve kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës kundër koronavirusit, dhe 44 për qind janë vaksinuar plotësisht.
Javën e kaluar, vendi ndali përdorimin e 1,63 milion vaksinash "Moderna" të kontaminuara.
Dy burra të moshës 30 dhe 38 vjeç humbën jetën tri ditë pas vaksinimit me to, edhe pse zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë sqaruan se vdekjet mund të kenë qenë aksidentale.
"Moderna" bashkëpunon me kompaninë farmaceutike spanjolle "Rovi" për mbushjen e flakonëve me vaksina, ku po hetohet nëse ka pasur probleme gjatë fabrikimit.


