Australia merr vaksina borxh, bën marrëveshje me Singaporin për “Pfizer”

Australia po përballet me një shpërthim të pamëshirshëm të variantit “Delta”, i cili është përhapur me shpejtësi në disa pjesë të vendit.

Qeveria australiane ka rënë dakord për një marrëveshje shkëmbimi të vaksinave Covid-19 me Singaporin, e cila do ta lejojë atë të marrë 500,000 doza të vaksinës “Pfizer” nga kombi aziatik këtë javë.

Kryeministri australian Scott Morrison bëri të ditur marrëveshjen të martën që do t'i lejojë Australisë qasje të shpejtë me dozat e “Pfizer”-it që ishin caktuar për përdorim në Singapor.

Në këmbim, Australia ka rënë dakord të dërgojë të njëjtin numër dozash vaksine në Singapor në dhjetor.

Morrison vuri në dukje se marrëveshja e shkëmbimit i lejon qeverisë së tij të përshpejtojë programin e vaksinimit të vendit në këtë kohë kritike, kur vendi i tij përballet me shpërthimin më të keq të pandemisë.

“500,000 dozat Pfizer do të administrohen përveç 4.5 milionë të planifikuara tashmë për shtator”, tha Morrison.

Dozat shtesë do t'i sigurohen të gjitha shteteve dhe territoreve në një bazë të barabartë të popullsisë pas testimit në grup. Australia kishte arritur pothuajse të ndalonte përhapjen e Covid-19 brenda kufijve të saj në fillim të këtij viti.

Kjo falë zbatimit të disa nga masave më të rrepta të bllokimit dhe karantinës në botë. Por një shpërthim i variantit “delta” që filloi në Sidnei mbi dy muaj më parë ka zhbërë shumë nga ai sukses.