Fund për karburantin e rrezikshëm, OKB: S'ka më benzinë me plumb
Bota është ndarë përfundimisht nga benzina me plumb, një lloj karburanti i cili filloi të prodhohej që në vitet 1920, por u eliminua me kalimin e kohës për shkak të pasojave të rënda që i shkaktonte mjedisit dhe njeriut.
Algjeria është vendi i fundit në botë që ka hequr dorë nga përdorimi i benzinës me plumb, një prej karburanteve më toksikë për mjedisin.
Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi se ky variant i rrezikshëm i benzinës nuk përdoret më për furnizimin e makinave apo trenave.
Karburanti që tregtohej prej një shekulli prodhohej nga shumica e shteteve rafinerive në vitet 1970, por me kalimin e dekadave u zbulua se përbërja e tij shkaktonte ndotje të madhe të ajrit, në ujin e pijshëm, në ara dhe sidomos te fëmijët, pasi u dëmton zhvillimin e trurit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe Inger Andersen, drejtuesja e programit të OKB-së për Mjedisin, thanë se njerëzimi duhet të nxjerrë mësim nga e kaluara.
"Kaburanteve me plumb u mbaroi benzina, falë bashkëpunimit mes qeverive në kombet e zhvilluara, mijëra bizneseve dhe miliona njerëzve të thjeshtë. Fundi i tyre do parandalojë çdo vit një milion vdekje të parakohshme nga sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe kanceri."
"Karburanti me plumb është shembull i qartë se sa ka gabuar njerëzimi në çdo nivel të shoqërisë. Janë gabime që na kanë sjellë kriza të trefishta planetare: ndryshimet klimatike, humbjen e biodiversitetit dhe krizën e ndotjes."
Vitet e fundit, Iraku, Jemeni dhe Algjeria ishin disa nga vendet e pakta që ende ofronin benzinë me plumb në treg, nga gati 100 shtete që e shitnin në fillim të viteve 2000 kur OKB-ja ndërhyri për ta hequr nënproduktin nga tregu.
Organizata "Greenpeace" që merret me kauzat e mjedisit e përshëndeti zhvillimin e fundit duke e quajtur mbylljen e një epoke toksike e cila duhet të vijojë me eliminimin e plotë të lëndëve djegëse në botë.


