Studim: Pandemia uli numrin e lindjeve në Europë e SHBA

Lindjet në Evropë (veçanërisht në Jug) dhe Shtetet e Bashkuara janë ulur ndjeshëm nga pandemia Covid-19, sipas një studimi të ri shkencor ndërkombëtar, i cili konfirmon gjetje të ngjashme nga hulumtimet e mëparshme.

Përveç rritjes së vdekjeve (4.5 milion në mbarë botën deri më sot), koronavirusi ka ndikuar në dinamikën demografike të popullsisë, për sa i përket lindjeve.

Në mënyrë indikative, rënia e pjellorisë arriti në 9.1% në Itali, 8.5% në Hungari, 8.4% në Spanjë, 7% në SHBA dhe 6.6% në Portugali. Vendet e tjera si Belgjika, Austria, Japonia dhe Singapori gjithashtu pësuan rënie.

Sipas studimit, pandemia më e madhe e shekullit të kaluar, ajo e gripit "spanjoll" , gjithashtu rezultoi në një rënie të mëvonshme të lindjeve në shumë vende.

Studiuesit vlerësojnë se në pandeminë aktuale, shumë çifte kanë vendosur të shtyjnë lindjen e një fëmije për arsye financiare, psikologjike dhe arsye të tjera.

Sidoqoftë, kishte disa vende (Koreja e Jugut, Holanda, vendet nordike) që treguan një rritje të vogël të lindjeve në mes të pandemisë.