Biden: Tërheqja nga Afganistani vendimi më i mirë për SHBA
Presidenti amerikan Joe Biden ka mbrojtur vendimin e tij për të tërhequr trupat amerikanë nga Afganistani, një veprim që çoi në kthimin e militantëve talibanë në pushtet.
Talibanët hynë në Kabul më 15 gusht.
Qëndrimi më i gjatë nuk ishte një opsion, tha Biden në një fjalim televiziv drejtuar kombit, një ditë pas përfundimit të pranisë 20-vjeçare amerikane në Afganistan.
Biden tha se ushtria amerikane ka evakuuar mbi 120,000 të huaj dhe afganë që kanë dashur të ikin nga Afganstani, pas marrjes së kontrollit nga talibanët.
“Ne kemi kryer një nga transportimet më të mëdha ajrore në histori. Asnjë vend nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë; vetëm Shtetet e Bashkuara kishin kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për ta bërë këtë”, tha Biden.
Ai po ashtu dha një mesazh për militantët e grupit Shteti Islamik Khorasan, të cilët morën përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në aeroportin e Kabulit, më 27 gusht.
Së paku 180 njerëz humbën jetën në këto sulme, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.
“Ne nuk kemi mbaruar me ju”, tha Biden.
Ai tha se prioritet i tij është të sigurojë se Afganistani nuk do të shfrytëzohet kurrë si vend nga ku do të kryheshin sulme kundër Shteteve të Bashkuara.
Udhëheqësi amerikan mbrojti vendimin e tij për t'u tërhequr.
"Unë nuk do ta zgjas këtë luftë përgjithmonë dhe nuk do të zgjas një dalje përgjithmonë," tha Biden, duke shtuar: "Lufta në Afganistan tani ka përfunduar."

