BE vaksinon 70 % të popullsisë, alarm për shfaqjen e një varianti të ri Covid në Afrikën e Jugut

70 për qind e të rriturve në Bashkimin Evropian kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid.  Këtë shifër e konfirmon presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, duke theksuar se unioni ka arritur objektivin e vendosur në muajin janar.

"Sot shënuam një arritje të rëndësishme në fushatën tonë të vaksinimit. Në BE, 250 milionë njerëz janë plotësisht të imunizuar", deklaroi ajo përmes një videoje të postuar rrjetet sociale.

Deri më tani shkalla e vaksinimeve ka qenë e ndryshme në vendet e Bashimit Evropian.  Shkallën më të lartë të vaksinimit, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve  e ka Irlanda me 85.5 përqind dhe Spanja me 76.7 përqind.

Ndërkohë që nivelin më të ulët të vaksinimit e mban Bullgaria me 20 %, e pasuar nga Rumania me 32.8%.

Ndërsa Pavarësisht vaksinimeve, lufta globale kundër pandemisë së Covid-19 tani zhvillohet me variantin Delta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur frikën se pandemia mund të vrasë edhe qindra mijëra njerëz deri më 1 dhjetor në të gjithë Evropën.

Ndërkohë, një variant i ri i Covid është zbuluar në Afrikën e Jugut.

Të hënën Instituti Kombëtar për Sëmundjet ngjitëse në Afrikën e Jugut ka lëshuar një alarm për "prejardhjen e C.1.2", duke thënë se është prezent në të gjitha provincat në vend, por ende nuk është listuar si një variant shqetësues nga OBSH-ja./OraNews/