“Lufta” për Sinecin nuk ndalet, banorët e fshatit Sheqëz në protestë: Projekti të bëhet

Në fshatrat e Kuçovës vijojnë protestat pro e kundër ujësjellësit në burimin e Sinecit.

"Duam ujë, duam ujë!"

Këtë të shtunë ishin banorët e Sheqëzëz që dolën në rrugë.

U ankuan për mungesën e ujit të pijshëm në tre dekada dhe kërkuan që projekti i kundërshtuar nga banorët e Lumasit të vijojë.

"Në vitin 2021 të jesh pa ujë është kulmi."

"Ne s'po gjejmë për të pirë, jo për të vaditur e për të larë."

"Kanë ikur njerëzit nga shtëpia për ujë, nuk kanë ikur për bukë."

Fshati ka një pus, por sipas banorëve nxjerr ujë të ndotur.

Ndaj ata ujin për të pirë e blejnë, ndërsa për nevoja e tjera e mbushin ku të munden.

"Kjo është depoja e ujit, ja lumi. Këtu derdhe të gjita mbeturinat."

"Kur të hapen çezmat për të gjitha këto fshatra do shpallim një ditë feste."

Projekti i Bashkisë Kuçovë për Ujësjellësin me Ujin e Sinecit kundërshtohet nga banorët e Lumasit të cilët kërkojnë pezullimin e punimeve që po kryhen nga kompania Salillari.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit për rajonin me qendër në Elbasan gjeti shkelje në zbatimin e projektit, ndaj banorët kanë paditur në SPAK kryeinspektorin pranë IKMT Tiranë, Albert Zybeja i cili sipas tyre nuk zyrtarizon pezullimin e projektit për të mbrojtur Salillarin.