KESH shpall fituese ofertën më të lartë, në garë morën pjesë 2 kompani, u skualifikua ajo që ofertoi më pak
Nënshkrimi i kontratave me kompaninë që ka dhënë dhe ofertën më të lartë është kthyer në një fenomen në Korporatën Elektro-energjitike Shqiptare.
Ndërmarrja e drejtuar nga Ergys Verdho ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe në tenderin për Mbrojtjen e kullave të ekuilibrit, prej çarjes nga shkëmbinjtë, me një fond limit prej 369.6 milionë lekësh.
Thirrjes i janë përgjigjur dy kompani, por 1 prej tyre është skualifikuar nga gara me argumentin se nuk plotësonte kërkesat e procedurës.
Konkretisht bëhet fjalë për subjektin "Alko Impex General Constuction" SHPK & "Alko Impex Construction" SHPK që kishin paraqitur dhe ofertën më të ulët prej 329 milionë lekësh.
Përjashtimi nga gara i kësaj kompanie i ka siguruar kështu në mënyrë automatike fitoren subjektit tjetër pjesëmarrës që rezultojnë bashkimi i operatorëve SMO Vataksi" shpk & "SMO Union" SHPK.
Këta të fundit kishin ofertuar një vlerë prej 329.7 milionë lekësh pa TVSH.
Burimi i financimit për këtë prokurim do të jenë të ardhurat e KESH-it, ndërsa afati për kryerjen e punëve do të jetë 4 muaj.
Tenderi është sinjalizuar si problematik edhe nga Open Data, e cila e ka shoqëruar me flamurin e kuq pasi është konstatuar skualifikim i të gjithë konkurrentëve përveç fituesit.
Më herët janë ankimuar disa procedura të zhvilluara nga institucioni që drejton Verdho dhe ka qenë KPP që ka anuluar vlerësimet e ofertave e KESH-it duke i konsideruar të padrejta apo edhe kur i është kërkuar modifikimi i dokumenteve të tenderit pasi rezultonin se ishin diskriminuese dhe kufizonin pjesëmarrjen në garë.
