Elbasan: Vitet shkojnë por banorët nuk shohin asnjë investim me sy. Kodër Krasta mes pluhurit e baltës
Periferia e Elbasanit vuan mungesën e investimeve. Në zonën e Kodër Krastës, një rrugë disa qindra metra është kthyer në shqetësim për banorët. Në verë thonë se i mbyt pluhuri ndërsa në dimër, balta.
Në rrugën “Ali Cungu” në zonën e Kodër Krastës në Elbasan gropat janë dëshmi se këtu nuk është investuar kurrë .
“Kështu ka qenë që kur kam ardhur prej 30 vitesh. Na thonë do të bëjmë por asgjë. Ankohu po deshe tek kryetari i bashkisë?! Na thonë nuk ka fonde” thonë banorët.
Në rrugë mbizotëron pluhuri dhe në dimër zonën e mbulon uji e balta.
Duket sikur është një aks për aventurierët të apasionuar pas ecjes në terrene të vështira por për këta banorë është sfidë e përditshme.
“Kjo pjesë përmbytet. Dalin ujrat e zeza. Shumë nga këto banesa i ka përmbytur e mbushur me baltë”
Ndryshimi i kësaj gjendje është kërkesa kryesore që u kanë bërë deputetëve e kryebashkiakut që i kanë dhënë votën.
Por premtimet thonë se janë harruar pas numërimit të votave.
Nuk është më shumë se 1 kilometër rrugë, por duket se dita që kjo pamje do të ndryshojë për banorët duket e largët.