"Vaksinim masiv", Manastirliu: Është rritur infektueshmëria te moshat e reja, shkak varianti Delta

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ditën e sotme foli për situatën e pandemisë Covid-19 dhe bëri me dije se është rritur infektueshmëria te moshat e reja.

Sipas Manastirliut shkak për këtë është bërë qarkullimi i variantit Delta. Fokusi është vaksinimi masiv edhe i qytetarëve +18 sidomos gjatë muajit shtator para fillimit të shkollave dhe universiteteve.

Manastirliu informoi se po zhvillojnë bisedime me Pfizer dhe pritet që në Shqipëri të mbërrijnë 500 mijë doza të vaksinës.

Manastirliu: "Ashtu sikurse referojnë edhe ekspertët tanë është rritur infektueshmëria te grupmoshat e reja pikërisht për arsye dhe të qarkullimit të variantit Delta i cili është më i trasmetueshëm. Fokusi është tek vaksinimi i çdo qytetari +18 vjeç, ndaj ne jemi duke krijuar mundësinë që edhe në ato pika të ofrimit të kujdesit shëndetësor siç janë poliklinikat tashmë të kemi hapur pikat tona të vaksinimit.

Çdo qytetar mund të vijë dhe të kryejë vaksinën, mjafton të ketë kartën e identitetit dhe padyshim ne do të vazhdojmë që ta konsiderojmë jo vetëm çdo ditë, por sidomos muajin shtator një muaj vendimtar për të rritur mbulesën maksimale duke qenë se jemi afër hapjes të shkollave dhe universiteteve. Duhet të kuptojmë diçka që çdo i pavaksinuar përbën një kosto jo vetëm për jetën dhe shëndetin e vet, por gjithashtu edhe për familjarët, shoqërinë. Jemi duke negociuar me Pfizer për 500 mijë doza të tjera të cilat do të jenë pjesë e programit tonë të vaksinimit."