Nga Saranda në Pogradec, ngarkon kamionin me emigrantë e niset drejt Tiranës

Një tjetër person është arrestuar pasi iu kap duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin kamion të markës "Benz", 33 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 31 vjeç, banues në Sarandë, informon policia e Korçës.

Arrestimi i tij u bë në lagjen nr. 3, Pogradec në kuadër të operacionit policor “Perimetri”

Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit në kërkim A. B., 53 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 10.08.2021, në fshatin Kalivaç, Pogradec, ku forcat e policisë kapën në flagrancë shtetasin O. Sh., duke transportuar kundrejt shpërblimit në drejtim të Tiranës, 5 emigrantë të paligjshëm dhe 53-vjeçari A. B., (në rolin e organizatorit të këtij aktiviteti të paligjshëm) nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.