Rama: Duhet të jemi më prezent në Prishtinë, s’është asnjë sekret që marrëdhënia me ta nuk shkon vaj
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen me deputetë të rinj dhe të vjetër të Partisë Socialiste, ka pranuar sërish se me qeverinë e Kosovës, e cila në krye ka Albin Kurtin, gjërat nuk shkojnë vaj.
Rama thekson se mosdakordësia për “Ballkanin e Hapur”, ku Prishtina ka dalë kundër, ka marrë një peshë të pamerituar.
Pavarësisht kësaj Rama shprehet se me durim do punojmë me qeverinë e Kosovës për projektet mes dy vendeve.
“Duhet të jemi më prezent në Prishtinë, e kam fjalën si deputet, për të ndarë opinione, për të zhvilluar ide në interes të dy shteteve tona dhe i ftojmë ata të jenë të pranishëm në mjediset e Kuvendit në Tiranë. Nuk është sekret me që me qeverinë e Kosovës, gjërat nuk shkojnë vaj, dhe mosdakordësia për “Ballkanin e Hapur”, ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes. Por Kosova është pjesë e pandashme e jona dhe e të ardhme sonë të përbashkët.
E ardhmja do të na bashkojë gjithmonë e më shumë, prandaj ne do të punojmë me përkushtim që me qeverinë e Kosovës të kemi marrëdhënie vëllazërore, duke u fokusuar në gjithë atë punë e drejtime të cilat nuk kanë sesi të mos na bashkojnë dhe patjetër duke trajtuar me durim mosdakordësinë për “Ballkanin e Hapur”, që është një zgjedhje e drejtë dhe kuptimplotë për të ardhmen e këtij vendi dhe rajoni. Sa më shumë të ndërveprojmë sa më shumë të përfitojmë, aq më shumë do të zhvillohemi dhe të forcohemi. Do punojmë shumë fort."- shprehet Rama.
