Rama: Dora e bashkëpunimit do të jetë e shtrirë pa kushte për PD, sado që ata i bien fyellit në një vrimë

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme deputetët e vjetër dhe ato të rinj të dalë pas 25 prillit në Pallatin e Brigadave.

Në fokus janë objektivat për mandatin e tretë qeverisës, si edhe një bilanc për 4-vjeçarin që lanë pas. Takimi vjen pak ditë para se Rama të bëjë publike emrat e qeverisë së re.

Rama përsëriti ftesën për bashkëpunim me PD-në, pavarësisht retorikës dhe veprimeve të tyre.

Rama: "Dora jonë e bashkëpunimit  për PD-në do të jetë e shtrirë pa kushte pavarësisht nga sjellja, retorika apo nga veprimet e rivalëve tanë. Konflikti verbal nuk duhet të jetë më kryefjala e jetës politike dhe parlamentare, prandaj ne duhet medoemos të ndryshojmë në këtë drejtim sado që ata t'i bien fyellit në të njëjtën vrimë, në vrimën që i është bërë gropa ku kanë rënë vetë me këmbët e tyre.

Shumë e lehtë të thuash, shumë e vështirë të bësh. Kush do të kalojë cakun etik në adresën e rivalëve tanë, kush jep shembull të keq në kuvend apo komision duke rënë pre e provokimeve, kush merret me politikë me konflikt në teatrin e ditës. Dhe nuk do të angazhohet me temat e çështjet që i interesojnë njerëzve apo Shqipërisë, do të jetë një shqetësim jo për opozitën, por për grupin dhe mua. Fatkeqësisht PD-ja do të vijë në Parlament me një dhëmballë të prishur të cilën as nuk ka kurajë ta shkulë, as nuk ka vullnet ta qetësojë, por kjo nuk është asnjë arsye për t'u marrë me dhëmballën e saj."