"Mandati i 3" Rama konfirmon në detyrë Elisa Spiropalin dhe Taulant Ballën

Kryeministri Edi Rama konfirmon në detyrë edhe për mandatin e tretë Taulant Ballën dhe Elisa Spiropalin.

Taulant Balla do të jetë kryetari i grupit të ri parlamentar të PS-së dhe Elisa Spiropali do të vijojë të mbajë postin e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

''Të dy Taulant Balla dhe Elisa Spiropali konfirmohen në detyrë dhe ne do ta kemi të plotë mbështetjen tonë për ta,''- tha Rama.

Në takimin e sotëm me deputetë të mandatit të vjetër e të ri, Rama foli me superlative për të dy figurat socialiste, duke nënvizuar se të dy meritojnë një falenderim të veçantë për punën e vështirë që kanë bërë.

"Taulanti ka punuar me përkushtim duke drejtuar grupin me aftësi dhe këmbëngulje të spikatur për hir të së vërtetës dhe në ditë të vështira, po ashtu edhe Elisa ka qenë e përkushtuar në rolin e saj aspak të lehtë duke lehtësuar rolin e qeverisë me parlamentin si dhe duke përfaqësuar qeverinë me aftësi e efikasitet në debatet parlamentare.

Prandaj besoj që të dy meritojnë një falenderim të veçantë së bashku me konfirmimin e tyre në detyrë për mandatin e tretë dhe do ta kenë të plotë mbështetjen tonë për ta çuar në një nivel tjetër performancën e PS në një nivel tjetër në funksion të qasjes së re për të cilën u përpoqa të flas më lart," tha kryeministri.