“Shkodra jazz festival” bën bashkë Kosovë - Serbi. “Thyen akujt” e Korçës!
Gushti do të jetë muaji i muzikës jazz.
Në Shkodër ka nisur edicioni i 12-të i “Shkodra Jazz Festival”, aktiviteti që prej vitesh bën bashkë artistë nga i gjithë Ballkani dhe Europa.
Ndërsa përplasjet pro dhe Kundër Goran Bregoviç po arrijnë kulmin, në kryeqendrën e veriut të rinj si nga Kosova ashtu dhe Serbia ndjekin bashkë këto kurse perfeksionimi të muzikës jazz.
"Shumë mirë, një eksperiencë tepër e mirë me disa italianë, serbë, të Malit të Zi, kosovarë dhe shkodranë," tha Renato Sakica, instrumentist nga Kosova.
"Po ndihem mirë, kam disa ditë këtu. Për mua nuk ka asnjë problem që ka artistë nga Kosova këtu, po ja kalojmë shumë mirë dhe do të vi sërish."
"Përveç asaj ne japim mësimet që të bëjnë dhe perfeksionimin lart muzikor, aq më tepër nga ana klasike," tha Florjan Jakaj, drejtor artistik i Shkodra Jazz.
Ndërsa flasin për këtë eksperiencë, ajo që i ka "dehur" artistët e rinj në Shkodër, është bukuria e këtij qyteti dhe mikpritja e njerëzve.
"Është hera e parë dhe ndihem shumë mirë. Me grupin është krijuar një lidhje dhe mund të them se është një eksperiencë fantastike. Për Akademinë është diçka shumë e bukur sepse vijnë nga vende të ndryshme, moment bashkëpunimi," tha Ivan Kajlevic, instrumentist nga Serbia.
"Është hera e dytë që vij këtu. Po ndihem shumë mirë. Çdo gjë është e mirë, ka shumë energji në këtë Akademi," tha Marko Zuljevic, instrumentist nga Serbia.
Risia e këtij viti e festivalit të muzikës jazz është rrugëtimi që ai bën në Prishtinë, Lezhë, bjeshkët e Malësisë së Madhe dhe Tiranë, duke mos mbetur vetëm në Shkodër.
Shkodra Jazz Festival lindi si një ëndërr e lënë në mes nga artisti i njohur Rrok Jakaj, ëndërr që sot vazhdon nga vëllai i tij Florian Jakaj.
