"Pashë Ditën e Kiametit", flet i mbijetuari nga shpërthimet në Afganistan
Të paktën 100 viktima janë regjistruar nga sulmet terroriste, që u shënuan dje, 26 gusht në aeroportin e Kabulit, me mijëra qytetarë të dyndur në dyert e aeroportit për t'u evakuuar nga vendi.
Midis viktimave 13 janë ushtarë amerikanë.
Një i mbijetuar nga shpërthimi ka rrëfyer për agjencinë e lajmeve Reuters eksperiencën e tij gjatë sulmeve terroriste në Kabul.
Ai thotë se kishte rreth 10 orë që priste në dyert e aeroportit me shpresën për të hipur në avion e për të shpëtuar nga grupi ekstremist taliban. I mbijetuari krahason momentin e shpërthimeve me Ditën e Kiametit.
"Për një moment mendova se humba shqisat e mia nga shpërthimi, nuk dëgjoja asgjë. Pashë trupat e pajetë dhe pjesë trupash të fluturonin në ajër. Pashë gra, burra, të moshuar dhe fëmijë të vdekur. Është e pamundur të shikosh Ditën e Kiametit në tokë, por sot unë pashë Ditën e kiametit, e pashë me sytë e mi. Fizikisht, jam mirë, por nuk mendoj se plaga mendore dhe tronditja që pësova nga shpërthimi i sotëm nuk do të më lejojnë të jetoj një jetë normale", tha i mbijetuari nga shpërthimet vdekjeprurëse në aeroportin e Kabulit.
I mbijetuari nuk identifikohet për arsye sigurie.
Presidenti amerikan Joe Biden është betuar për hakmarrje ndaj sulmuesve, duke thënë se do t'i "gjuajë".
Kjo, pasi SHBA paralajmëroi se mund të vinin më shumë sulme, me komandantët amerikanë, që thanë se ishin në gatishmëri për raketa të mundshme ose bomba të transportuara nga automjetet që synonin aeroportin.


