Navalny jep intervistën e parë nga burgu: Detyrohemi të shohim 8 orë filmat propagandistikë rusë

Opozitari i njohur rus, Aleksei Navalni, thotë se burgu ku ai po vuan dënimin i ngjan një kampi përqendrimi dhe po dhunohet psikologjikisht.

Duke folur për gazetën amerikane "The New York Times", kritiku i fortë i Kremlinit tha se e detyrojnë të shohë përditë filmat dhe propagandën e televizionit shtetëror rus.

Të burgosurit, shtoi ai, monitorohen nga rojat që nuk i lejojnë të lexojnë, të shkruajnë apo i zgjojnë kur ata i zë gjumi gjatë transmetimit.

"Imagjinoni disa burra muskulozë me tatuazhe dhe dhëmbë hekuri që grinden me thika për të zënë vendin më të mirë anës dritares. Imagjinoni një si kamp përqendrimi kinez, ku të gjithë marshojnë në rresht të vëzhguar nga kamerat e varura ngado. Ka një kontroll të vazhdueshëm dhe një kulturë spiunimi," tregoi Navalni në intervistën e tij të parë nga burgu.

45-vjeçari megjithatë mendon se regjimit të presidentit Vladimir Putin dikur do i vijë fundi, dhe Rusia do kthehet nga demokracia dhe Europa sepse këtë duan shumica e popullit rus.

Sipas tij, sanksionet që qeveritë amerikane dhe europiane kanë ndërmarrë ndaj Kremlinit, kanë dëmtuar më rëndë popullin sesa ata në pushtet.

Navalni u arrestua në janar me t'u kthyer në Rusi sepse vjeshtën e kaluar e kishte lënë vendin për t'u kuruar në Gjermani nga një helmim i rëndë, duke shkelur lirimin me kusht të mëhershëm.

Këtë muaj, ndaj opozitarit u ngritën padi për krime të reja që mund ta zgjatin qënrimin e tij në burg edhe me tre vite të tjera.