Kina: SHBA po na bën "kokë turku"

Komuniteti ndërkombëtar i shkencëtarëve dhe OBSH-ja ende nuk kanë një teori përfundimtare se si u përhap virusi që shkakton Covidin-19. Dyshimet e Amerikës kanë rënë më parë te Kina, e cila e mohon fajin për pandeminë.

Kina e ka qortuar Amerikën, siç pretendon, pasi po tenton ta politizojë çështjen e koronavirusit dhe ta fajësojë Pekinin për pandeminë.

Shërbimet Informative amerikane pritet të dalin së shpejti me hipotezat e tyre se ku e pati zanafillën sëmundja infektive që u ka marrë jetën 4 milionë e 463 mijë personave në botë.

Dyshimet janë se gjithçka filloi nga Kina, duke u përhapur fillimisht te kafshët dhe më pas aksidentalisht nga një laborator kinez që merrej me studimin e viruseve te lakuriqët e natës.

Pekini pretendon se patogjeni doli nga qendra ushtarake e Fort Detrikut, ku ushtria amerikane zhvillon programin e vet të armëve biologjike.

"Edhe një herë i themi SHBA-së të mos e politizojë çështjen. Duke na bërë ne "kokë turku" nuk e lan dot veten. Nëse SHBA-ja vazhdon t'i fryjë teorinë e laboratorit, atëherë le të bëhet shembull dhe ta ftojë OBSH-në të hetojë aktivitetet e saj biologjiko-ushtarake në Fort Detrik apo Universitetin e Kalifornisë Veriore," tha Fu Kong, një nga zv.drejtorët e Ministrisë së Jashtme kineze.

Agjencitë amerikane po punojnë prej tre muajsh për të gjetur prejardhjen e virusit të ri korona, por nuk kanë dalë në përfundime konkrete.

Raporti i klasifikuar mësohet se iu prezantua dy ditë më parë presidentit amerikan, Biden.