Politikat migratore në SHBA, Gjykata e Lartë amerikane i jep të drejtë nismës së Trump

Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë të drejtë politikave të ish-Presidentit Donald Trump për emigrantët që kërkojnë të hyjnë në Amerikë.

Gjykata mohoi ankesën e Presidentit aktual Biden për të zhbërë politikën migratore të pagëzuar “Qëndro në Meksikë”.

Kjo nismë ka detyruar mijëra azilkërkues të qëndrojnë në Meksikë për të  pritur seancat dëgjimore për azil në tokën amerikane.

Vendimi i Gjykatës u nda 6 me 3, ku sipas medieve amerikane 3 gjykatësit liberalë ishin kundër kësaj nisme.

Administrata Biden ankimoi një vendim të një gjykatësi teksan, ndërsa kërkon politika më të lehta migratore.

Politikat migratore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në qendër të debatit nga Presidentë të ndryshëm, ku Trump rrëzoi ato të ish-Presidentit Obama, ndërsa aktuali Biden kërkon të rrëzojë ato të Trumpit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë tani i hap rrugën shteteve të Teksasit  dhe Misurit, që udhëhiqen nga republikanët, të vijojnë me politikat e tyre kundër emigracionit të paligjshëm.

Pala meksikane ka reaguar pas këtij vendimi duke thënë se do të nis konsultimet me Washingtonin për të gjetur gjuhën e përbashkët, sepse sipas sipas zyrtarëve meksikanë, kjo politikë mund të dëmtojë kapacitetet vendase për të mbajtur më shumë emigrant që vijnë nga Amerika Jugore dhe Qendrore.

Përgjatë muajve të fundit, autoritetet amerikane njoftojnë një shtim të numrit të emigrantëve që duan ta kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin.

Administrata  Biden ka lënë në fuqi një urdhër të veçantë të ish-presidentit Trump që lejon autoritetet kufitare amerikane, për shkak të krizës së shëndetit publik Covid-19, të dëbojnë me shpejtësi emigrantët e kapur në kufi pa u dhënë atyre një shans për të kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara./OraNews/