I shpëtoi tre atentateve të talibanëve, flet kryebashkiakja afgane: Vranë babanë tim, më sulmuan 3 herë

Zarifa Gafari, 29 vjeç, kryebashkiakja e parë grua e Afganistanit, arriti të evakuohej përmes Pakistanit në Gjermani në minutën e fundit.

Talibanët kanë bërë tre atentate ndaj saj dhe kanë vrarë babanë e saj. Zarifa Gafari duke folur ekskluzivisht për televizionin grek 'OPEN'  trondit me rrëfimin e saj.

"Ata vranë babanë tim. Më kërcënuan kudo, më kërkuan të ndërpres punën. Unë u kërcënova, u sulmova tri herë. Tri herë u përpoqën të më vrisnin. Më sulmuan me armë të improvizuara, me armë të mëdha. "Ata u përpoqën të ndalonin makinën time, më qëlluan, më hodhën shumë plumba në makinë " , përshkruan Zarifa Gafari.

"Unë u shënjestrova nga talibanët," tha ajo. "Unë isha në listën e zezë. Atdheu im është më i rëndësishëm për mua sesa nëna ime. Nëna ime më dha jetën, por vendi im më dha ideale dhe vlera për të ecur përpara. Vendosa të largohem në mënyrë që të mund të ngre zërin tim, në vend që të vritem. Kurrë nuk e kisha menduar se do bëhesha refugjate."