Dyshohet se vrau 18 –vjeçaren, një muaj paraburgim për Dardan Krivaqën
Gykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit, prej një muaj Dardan Krivaqa, i cili dyshohet si vrasësi i Marigona Osmanit, 18-vjeçares që u gjet pa shenja jete të dielën (22 Gusht), para derës së spitalit.
Dardan Krivaqa dyshohet se, në bashkëveprim me të pandehurin tjetër Arbër Sejdi, ka dhunuar deri në vdekje 18-vjeçaren.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij. me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S. gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”.- thuhet në vendimin e Gjykatës.
Ngjarja, e cila ka tronditur Kosovën, ka ndodhur më 22 gusht.
18-vjeçarja është dërguar pa shenja jete në spital nga Dardan Krivaqa, 29-vjeç, me të cilin, sipas familjarëve, viktima ishte martuar rreth dy muaj më parë dhe nga Arbër Sejdiu, 32-vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga.
Të dy, menjëherë kanë ikur nga spitali, ndërsa tashmë ndodhen prapa hekurave.
