Londra përgatitet të evakuojë qentë dhe macet nga Afganistani

Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace,  njoftoi sot se do bëjë të mundur largimin e qenve dhe maceve nga Kabuli, që po strehohen aktualisht nga një ish-ushtar, i cili ka marrë një aeroplan për të evakuuar afganët, personelin dhe kafshët.

Ndërsa mijëra afganë të dëshpëruar përpiqen të largohen nga vendi, pasi talibanët erdhën në pushtet, nga frika e metodave të tyre barbare, çështja e evakuimit të kafshëve është debatuar në Mbretërinë e Bashkuar prej ditësh, duke dëshmuar dashurinë e tepruar të qeverisë për kafshët.

"Nëse mbërrin me kafshët, ne do të gjejmë një vend për aeroplanin e tij," shkroi Wallace në Twitter për Paul Farding, një ish -ushtar që hapi një strehë për qen dhe mace në Kabul dhe tani dëshiron të largohet nga Afganistani.

Bëhet fjalë për gati 140 qen dhe 60 mace, si dhe stafi dhe të afërmit e tij afganë.

Dje, megjithatë, ministri kishte deklaruar se "kafshëve nuk do t'u jepet përparësi ndaj burrave, grave dhe fëmijëve të dëshpëruar që trokasin në derë".