Aksident në Shkodër-Velipojë: Benzi përplaset me motokorrësen, vdes adoleshenti
Dy persona kanë ndërruar jetë në dy aksidente të ndryshme këtë të martë. I pari ndodhi në Shkodër, ku një 16-vjeçar që udhëtonte me një mjet bujqësor u përplas nga një furgon në kushtet e mjegullës së dendur që kishte mbuluar zonën. Ndërkohë që pasdite një 77-vjeçar me motor u përplas nga një makinë në aksin Korçë-Kapshticë.
Aksidentet vijojnë të marrin jetë njerëzish në rrugët e vendit. Dy persona kanë ndërruar jetë në dy ngjarje të ndryshme këtë të martë, 24 gusht.
Një 16-vjeçar mbeti viktimë e një aksidenti në orët e para të mëngjesit në aksin Shkodër-Velipojë.
Adoleshenti po dilte nga një rrugë dytësore në vendin e quajtur “Trush i Poshtëm”, duke drejtuar një mjet bujqësor, kur u përplas nga një furgon pasagjerësh.
Goditja ka qenë e fortë e për pasojë 16-vjeçari nuk u mbijetoi plagëve të rënda që mori.
Aksidenti sipas policisë së Shkodrës u shënua rreth orës 06: 00 të mëngjesit, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak u bë mungesa e fushëpamjes në rrugë për shkak të mjegullës së dendur.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e makinës tip "Benz" për ta marrë në pyetje për rrethanat.
Ndërkohë një aksident ne aksin Korçë-Kapshticë pasditen e së martës i ka marrë jetën një personi.
Ngjara bëhet e ditur se ka ndodhur pranë fshatin Cangonj, ku një makinë ka përplasur një motoçikletë dhe drejtuesi i kësaj të fundit, i identifikuar si 77-vjeçari Admir shehu, ka ndërruar jetë menjëherë.
Përgjatë muajit gusht janë shënuar disa aksidente të rënda, ndërsa në 7 muaj, aksidentet kanë marrë 119 jetë në rrugët e vendit.