Ardhja e afganëve në Shqipëri/ Çipa: Nuk ka transparencë buxheti, Rama po e përdor politikisht për llogari të veten

I ftuar në  edicionin e lajmeve të RTV Ora, Kreu i Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, ka komentuar ardhjen e afganëve në vendin tonë, të cilët mendohet që të arrijnë brenda kësaj jave.

Mungesa e transparencës së buxhetit për afganët

Sipas tij, në vendin tonë mungon transparenca e llogaritjes së buxhetit që do të vihet në dispozicion të refugjatëve afganë që do të vijnë në vendin tonë, ndërkohë shton se Qyteti Studenti është vendi më i papërshtatshëm për strehimin e tyre.

"Unë mendoj se ka me një mosvendim përfundimtar nga organizatorët e evakuimit të afganëve nga Kabuli, në mënyrë të veçantë nga aeroporti i Kabulit. Shpërndarja e tyre mbi bazën e atyre vendeve që kanë shprehur gatishmërinë për t’i pranuar. Kjo është një çështje më shumë e karakterit organizativ sesa mungesë transparence e vendeve pritëse. Në këtë pikëpamje mendoj se është herët për ta pretenduar transparencën për numrin e personave që do të mbërrijnë në Shqipëri.

Ndërsa transparenca në llogaridhënien publike, mendoj që mungon llogaritja e buxhetit që do të vihet në dispozicion, të kësaj pritje dhe në mënyrë të veçantë ku do të vendosen dhe si do të përballohet jetesa e refugjatëve. Qyteti i Studentit është vendi më i papërshtatshëm, sepse destinacioni Qytet studenti është përcaktuar për një kategori sociale, siç janë  studentët. Nga ana tjetër do duhej që administrata të përcaktonte vetjakisht  një grup të cilët merren me mënyrën se si do të sistemohen, planifikimi paraprak dhe llogaritjet që do duhen për jetesën e refugjatëve të mbërritur në Shqipëri."

Ardhja e afganëve rreziqe për Shqipërinë

Më tej ai shton se në rajon janë pak shtete që do të presin refugjatë afganë, teksa thekson se ardhja e tyre mund të sjell rreziqe në vendin tonë.

“Këto janë çështje që një administratë serioze dhe sidomos kur do të operojë në rrethanën e parë me buxhetin publik, duhet të mos mungojë transparenca.

Mendoj se ka tre qasje në këndvështrimin sesi e vlerëson gatishmërinë e  menjëhershme të Kryeministrit  Rama për t’i pritur afganët në Shqipëri. Personalisht përfshihem te gatishmëria solidare, tek humaniteti që në një lloj pikëpamje është  një nga krizat të cilën po e shfaq me shumicë perëndimi dhe në mënyrë të veçantë Evropa. Ka një qëndrim zyrtar të vendeve të BE që e refuzojnë pranimin e vendeve, ndërkohë që në rajonin tonë janë pak shtete që kanë shprehur gatishmërinë mes tyre dhe Shqipëria .

Qasja e dytë ka të bëjë me interpretimin e efekteve dhe risqeve që mbart një komunitet i tillë siç ka qenë Afganistani. Rreziku i parë është përfshirja e ekstremistëve brenda këtij komuniteti që do vijnë në Shqipëri. Risku i dytë është se do të mungojë një mekanizëm efiçent për vetingimin e personave. Një pjesë e tyre do të vijnë në vendin tonë pasi do u jenë zhdukur dokumentet e identifikimit pasi ne  kemi informacion si gazetar se çfarë po ndodh në aeroportin e Kabulit, dhe risku tjetër ka të bëjë me  një kategori njerëzish që kanë jetuar gjatë në një realitet shumë problematik.”

Përdorimi politik 

Çipa thotë pranimi i afganëve në vendin tonë po përdoret politikisht, duke theksuar se Kryeministri Edi Rama, protagonizmin e luan për llogari të rritjes së kreditove vetjake dhe për kreditove të qeverisjes së vet.

“Qasja e tretë ka të bëjë me faktin që përdorimi politik që po i bëhet këtij realiteti. Kryeministri padyshim që protagonizmin e luan për llogari të rritjes së kreditove vetjake dhe për kreditove të qeverisjes së vet, në raport me partneritetin amerikan dhe në raport me partnerët e tjerë kryesisht të NATO-së. dhe kjo ka një vlerë të jashtëzakonshme për piarin shtetëror të vendit, dhe këtë jë Kryeministri dukshëm jo vetëm që po e luan po e përdor dhe e ka mirëllogaritur. Në realitetin shqiptar ka munguar një analizë solide për efektet  dhe për paralajmërimet për këto pritje.”

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Anila Kolgjini.