“Mësimi plotësues, i detyrueshëm”, Çejku: Ministria duhej të kishte identifikuar nxënësit që duhet të vinin në klasa
Ekspertët e arsimit thonë se mësimi plotësues për rikuperimin e njohurive të paplota apo të prapambetura nga zhvillimi i mësimit online për shkak të pandemisë duhej të ishte përcaktuar si i detyrueshëm.
Mësimi plotësues për rikuperimin e njohurive të paplota apo të prapambetura nga zhvillimi i mësimit online për shkak të pandemisë nuk duhet të ishte lënë në dëshirë të nxënësve.
Qemal Çejku, ekspert në fushën e arsimit, thotë se mësimi i orëve të tilla duhej të bëhej i detyrueshëm e në përputhje me një plan masash të hartuara nga Ministria e Arsimit pasi në të kundërt ka për të dështuar.
"Nëse do të vendoset që nxënësi të shkojë sipas dëshirës kam frikë se në shumicën e shkollave nuk do të ketë nxënës. Që të bëhet një mësim plotësues i një viti të dytë të dështuar do të thotë të kesh bërë një plan masash. Në klasën X sa nxënës ishin mirë, sa nuk ishin mirë, sa kishin nevojë për mësim plotësues dhe sa nuk kishin."
Çejku hedh dyshime mbi anketimin e realizuar dhe mënyrën e marrjes së vendimit për zgjatjen e mësimin e plotësues.
"Kur thotë kemi bërë një anketim apriori, do të thotë se do ta bazojë diku vendimin që është bërë, por që në fakt nuk është bërë një anketim i tillë".
Ai shton se mungojnë përgatitjet për realizimin e orëve plotësuese, dhe sipas tij vetëm me arsimin nuk mund të luhet.
"Si do ta bëjë këtë mësim? Prindërit thonë se i kemi dorëzuar librat. Përveç se i kanë dorëzuar, i kanë fshirë dhe me gomë ato që kanë bërë për ti kaluar klasës pasardhëse."
Sugjerimi i specialistit të arsimit për zhvillimin e një viti akademik të sukseshëm mund të ishte dhe vaksinimi i fëmijëve mbi 13 vjeç.
"Të vaksinojnë moshat e reja, mbi 13 vjeç."
Dy vitet shkollore gjatë pandemisë mes mësimit të alternuar sa në klasa e sa online ishin një dëm i madh për sistemin arsimor ndaj duhet më shumë përgatitje për të patur një vit ndryshe pasi një 3 vjeçar i tillë në arsim do të sillte një dëm të pallogaritshëm, thotë Çejku.

