Digjet pylli i mbrojtur nga UNESCO në Rrajcë, zjarri në dy vatrat aktive po përhapet me shpejtësi
Piromanët i kanë vënë zjarrin edhe pyllit me ahishte të mbrojtur nga UNESCO në Rrajcë të Prrenjasit ku tashmë janë dy vatra që po përhapen me shpejtësi. Këtë të mërkurë, zjarre aktive kishte në 8 nga 12 qarqet e vendit.
Pylli i ahishteve, pjesë e trashëgimisë botërore nga UNESCO në Rrajcë të Prrenjasit po digjet.
Dy vatra zjarri janë ndezur me qëllim brenda zonës së mbrojtur në Shesh Dardhë dhe flakët po përhapen me shpejtësi të ndihmuara nga era.
Situata raportohet kritike dhe kërkohet shtimi i forcave nga toka, pasi ndërhyrja me helikopter në zonë sipas ekspertëve nuk do të jepte rezultate për shkak të pemëve të larta.
Ndërkohë jashtë kontrollit është edhe vatra tjetër që kërcënon pyllin e Rruenit, po ashtu zonë e mbrojtur nga shteti.
Vatra zjarri këtë të mërkurë kishte në 8 qarqe të vendit.
Problematike është situata në Katund të Vjetër në Rubik, ku ka rrezik për banesat, Thirrë të Mirditës, Dardhë të Fushë Arrëzit dhe Malin e Tërbunit në Pukë.
14 ditësh mbetet aktive vatra e zjarrit në Majë e Rrunës në Kukës ku ndërkohë zjarret kanë djegur mbi 6 hektarë në zonat e mbrojtura.
Për të vënë flakët nën kontroll nga veriu në jug janë angazhuar forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit nga toka dhe helikopteri holandez nga ajri.

