Rikthehet Covid në Shqipëri? Dasho: Kjo përhapje i dedikohet variantit Delta, rreth 2 milionë shqiptarë e kanë kaluar virusin

Numri i rasteve të reja me Covid-19 në Shqipëri është rritur ditët e fundit.

Mjeku epidemiolog Erion Dasho në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora tha se kjo rritje e numrave i dedikohet variantit Delta të virusit.

Sipas tij fakti që Shqipëria nuk kërkon një pasaportë Covid për të hyrë e ka bërë më të lehtë futjen e personave të cilët mund të jenë të infektuar.

Dasho: "Mendoj se kjo përhapje i dedikohet varianti Delta, variant i cili hyri në Shqipëri nga shumë drejtime ndoshta. Në momentin kur filluan të vinin turistë dhe kur shqiptarët që jetojnë jashtë vendit filluan të ktheheshin. Këto dy faktorë dhe mungesa e kontrollit në kufi, pra fakti që Shqipëria është i vetmi vend evropian që nuk kërkon një pasaportë Covid për të hyrë në vend është shumë më e lehët që një person të hyjë në Shqipëri. Kjo rritje prek të gjithë vendin, pra tregon se nuk kemi një vatër ku mund të kishim një përhapje të kufizuar të variantit Delta."

Gjatë bisedës, mjeku Dasho u shpreh se varianti Delta përhapet ose në persona të vaksinuar ose në persona të imunizuar.

Sipas tij, Shqipëria nuk mund të shpresojë në imunizimin e personave të cilët janë vaksinuar me Coronavx pasi nuk ka studime të cilat tregojnë shkallën e efektshmërisë së kësaj vaksine. Deri tani, tha Dasho rreth 2 milionë shqiptarë e kanë kaluar Covid-19.

Dasho: "Unë prisja që do kishim rritje gjatë verës, por nuk e prisja të kishim këtë rritje kaq të shpejtë. Shqipëria ka disa muaj që ka arritur atë shkallë imuniteti në grup që garanton mbrojtjen. Varianti Delta ashtu sikurse përhapet në personat e vaksinuar, ashtu përhapet edhe në personat që e kanë kaluar infeksionin Covid. Që nga fillimi i pandemisë dhe deri tani vlerësohet se në Shqipëri rreth 2 milionë persona e kanë kaluar Covid.

Varianti Delta përhapet ose në persona të vaksinuar ose në persona të imunizuar. Fatkeqësisht Shqipëria ka dy probleme të mëdha. Problemi kryesor është që personat janë imunizuar me një vaksinë si Coronavac për të cilën ende nuk kemi të dhëna të besueshme se çfarë shkallë mbrojtjeje ofron. Në këto raste Shqipëria nuk e ka shpresën te personat që janë vaksinuar me Coronavac, por e ka shpresën tek ai 70% i popullatës që ka kaluar infeksionin në mënyrë natyrale. "

Intervistoi Kostana Morava, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku