Asgjë e re
Lajmi i agjensisë prestigjioze të lajmeve Reuters në lidhje me vendimin e Shqipërisë për të pranuar strehimin e një pjese të opozitës afgane në Shqipëri dhe reagimi i natyrshëm i opinionit publik e ka detyruar kryeministrin shqiptar të reagojë menjëherë.
Reagimi në raste të tilla është detyrim, sepse vendime të tilla mund të na kthejnë në shënjestër të terroristëve ose mund të prodhojnë pasoja të tjera për të gjithë qytetarët, ndaj sqarimi dhe informimi i opinionit publik është parësor.
Njëkohësisht, ky është një nga ato momentet, kur udhëheqësit tregojnë aftësitë e tyre prej shtetari dhe perballen si burrat me përgjegjësinë e tyre.
Por, në vend që të sillej si burrë shteti, të kërkonte falje për transparencën e munguar dhe të informonte dhe sqaronte opinionin publik në lidhje me vendimin e qeverisë që ai përfaqëson për të pritur qytetarë afganë që po shpërngulen nga lufta, ai po shfrytëzon shqetësimin normal të qytetarëve dhe po përpiqet ta përdorë edhe këtë ngjarje si operacion piari për vete dhe qeverinë e tij, si dhe po tenton ta konvertojë atë në mbështetje për qeverinë e tij.
Madje fēlliqësia e tij shkon deri aty sa i drejtohet edhe Kosovës, gjysmës së kombit shqiptar, gjakun dhe trojet e së cilës i ka nxjerrë në tregun sllav të kasapëve të saj por kjo meriton një shkrim tjetër .
Të gjithë e dimë që nuk është hera e parë që Shqipëria ka mikpritur qytetarë që po ikin nga lufta me kërkesë të aleatëve tanë strategjikë. Sali Berisha ka qenë kryeministri i parë shqiptar që ka mikpritur opozitën iraniane me kërkesë të SHBA.
Kjo sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe si anëtare e NATO-s gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po degradon në Afganistan.
Pra, në qëndrimin e Shqipërisë nuk ka asgjë të re apo heroike krahasuar me qëndrimet e saj të mëparshme, përveç mungeses se sjelljes prej shtetari të kryeministrit shqiptar, i cili në raste të tilla duhet të marrë përgjegjësitë dhe të përballet me ndershmëri me opinionin publik dhe të mos i shohë vuajtjet dhe fatkeqësitë e refugjatëve të luftës si një mundësi për t’i konvertuar në makiazh për dështimet e tij.
