Në 7 muaj, 12 krime në familje: Duhet vëmendje më e shtuar nga policia, Gjykata ka një pjesë të fajit

Shqipëria kohëve të fundit është tronditur nga ngjarje kriminale, por rritje po njohin edhe krimet brenda familjes. Çdo ditë në komisariatet e vendit ka denoncime për dhunë në familje, po ashtu edhe në Gjykata ka rritje të numrit të çifteve të bashkëshortëve që duan të ndahen.

Sociologët thonë se faktorët që ndikojnë në shtimin e rasteve janë papunësia ekonomia e dobët dhe se zonat më të prekura janë ato periferike.

Ndërkohë, sipas ekspertit të sigurisë Fatjon Softa, krimet në familje meritojnë vëmendje më të madhe.

"Mbas krimit të organizuar, vjen krimi në familje i cili çdo ditë po bëhet një problem shqetësues i shoqërisë. Fakti që për 7 muaj kemi 12 krime në familje tregon që baza e tij është në shoqëri, brenda shoqërisë dhe rastet e ekzekutimeve që ndodhin janë pasojat që ne shikojmë. Pra kjo vjen si pasojë e një turbulence sociale, vjen si pasojë e një përkeqësimi të ekonomisë, si rrjedhojë e gjendjes së rënduar psikologjike," u shpreh Softa.

Për sa i përket personave që kanë rënë pre e dhunës ndonëse të pajisur me urdhër mbrojtje, Softa thotë se autoritet duhet të përmirësojnë mekanizmat parandalues.

"Urdhër-mbrojtje do të thotë çfarë garancie jep ti për jetën e tij, ka një perimetër që nuk duhet t'i afrohesh personit. Po kush e ruan atë? E ruan Zoti? Apo e ruan thjesht letra që ti jep? Kjo është detyrë e organeve kompetente si dhe të mbajnë përgjegjësi dhe në rastet kur kjo kapërcehet duhet të ketë dikush një përgjegjësi. Ose merre këtë urdhër-mbrojtje dhe të mbash përgjegjësi ose duhet të ndëshkohesh edhe ti si punonjës policie apo kush është ngarkuar për të krijuar këtë mbrojtje," shtoi Softa.

Në 7 muaj në vendin tonë janë regjistruar 12 krime brenda familjes në të cilët kanë qenë të përfshire jo vetëm bashkëshortët por edhe rrethi familjar.

Ngjarja me e fundit e rëndë ndodhi mes kushërinjve Hasalla Lushnje, ku për shkak të pronësisë së tokës viktimë mbeti 1 prej tyre dhe u plagosën 3 të tjerë.