"Lufta" ndaj zjarreve/ Shiu shuan flakët në Kukës, disa vatra ende aktive

Pasi janë djegur mijëra hektarë nga veriu në jug të vendit, situata tanimë ka nisur të përmirësohet.
Reshjet e shiut në Kukës, pasditen e së mërkurës kanë bërë të mundur shuarjen e zjarreve atje, një ditë pasi ato u shuan edhe në Karaburun.

Pavarësisht se shumica e zjarreve janë shuar, në Lakun e Thive dhe në Lakun e Mollave ka disa ende vatra aktive.

Edhe në Mirditë të gjitha vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon janë shuar të enjten.

Deri në mesditë, ka pasur vetëm një vatër zjarri në fshatin Patalej në Lezhë, ku është angazhuar edhe një helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri.

Nga ana tjetër të enjten u raportua një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë, ku janë angazhuar forcat e shërbimit pyjor, të zjarrfikëses, për të vënë nën kontroll situatën.

Edhe në Fshatin Radat të Dropullit është raportuar një vatër zjarri, ndërsa mendohet se flaka është ndezur nga dy barinj.

Gjithashtu në Korçë, një zjarr i rënë në afërsi të konvikteve të studentëve dogji një sipërfaqe me shkurre atje, por u bë e mundur vendosja e tij nën kontroll.

Në Mbreshtan të Kolonjës, një zonë e thellë malore mendohet se dy vatra zjarri kanë përfshirë një sipërfaqe prej 20 hektarësh, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë bërë rreth 5 orë rrugë për të shuar flakët.