"Pezullohen punimet në Sinec", banorët dalin nga greva pas 10 ditësh

Banorët e Lumasit e ndërprenë në ditën e 10 grevën e urisë për të kundërshtuar ndërtimin e ujësjellësit, me ujin e burimit të Sinecit.

Thanë se vendimin e morën pasi Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, konstatoi shkelje të rënda të Kompanisë Salillari me punimet që po kryejnë në zonën e mbrojtur.

"S'keni parë gjë akoma. Do ta fillojmë këtu nga Lumasi."

Por kjo sipas tyre është vetëm fitorja e parë, pasi nuk do të tërhiqen nga lufta për të mbrojtur atë që e cilësojnë të vetmen pasuri të përbashkët.

"Pasi kryen analizat në terren morën vendimet e duhura siç është pezullimi i punimeve në Sinec, prishjen dhe rehabilitimin e punës së kryer nga oligarku Salillari," tha njëri prej grevistëve.

"Një gjë po ja u them këtyre vëllezërve dhe gjithë shqiptarëve. Lufta jonë nuk ka mbaruar. Ne do jemi në krah të gjithë atyre që dëmtohen," tha një grevist.

Por, Pavarësisht pretendimeve të Banorëve veç aktit të Konstatimit të shkeljeve nga IKMT Elbasan, nuk dihet nëse ky institucion ka lëshuar urdhrin e pezullimit të punimeve  në zonë.

Banorët e Lumasit shprehen se lufta e tyre do të vijojë, tanimë kundër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliut.

"Kemi vuajtur në mënyrën më makabre nga policia. Nuk do t'i ndahemi as Ardi Veliut deri sa ta qërojmë edhe atë se na ka dhunuar ne dhe familjet tona," tha grevisti.

Gjatë një akt-konstatimi të datës 5 Gusht 3 inspektorë të IKMT gjetën se kompania Salillari ka kryer shkelje në marrjen pa leje administrative të ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve.