Tarifat e Terminalit të Korçës konsiderohen “plaçkitesë” nga shoferët: Mund të rrisim çmimin e biletës

Terminali i Autobusëve në Korçë nisi aplikimin e tarifave të qëndrimit të miratuara nga Këshilli Bashkiak që janë kundërshtuar në vazhdimësi pasi cilësohen të larta nga shoferët.

Sipas vendimit, autobusët ndërqytetas jashtë Korçës do të duhet të paguajnë për orë 200 lekë, nga 1 deri 5 orë 500 lekë dhe për 24 orë 800 lekë.

Për mjetet e transportit ndërkombëtar tarifa është edhe më e lartë, pasi duhet të paguajnë 700 lekë.

Autobusët ndërqytetas, por brenda qarkut të Juglindor do të tarifohen 150 lekë për linjën Korçë-Maliq dhe Maliq-Korçë .

Autobusët e Korçës do të paguajnë 80 lek për parkimin, ata rrethqytetas të bashkive të tjera 200 lekë.

Kosto ka edhe ruajtja e bagazheve në ndihmën e sigurisë.

Një orë kushton 100 lek dhe për çdo orë shtesë 50 lek.

Për 24 orë kostoja është 300 lekë.

Këto tarifa janë kundërshtuar në vazhdimësi nga shoferët dhe drejtuesit e linjave të transportit.

Në ditën e hyrjes në fuqi ata protestuan për të kërkuar rishikim e vendimit që e konsiderojnë plaçkitës.

"20 pasagjerë, 10 mijë lekë, 6-7 mijë i harxhoj për naftë, 150 lekë i paguaj për hyrje, dal zero," thotë një shofer.

"Nuk e di se ku e gjejnë gjithë këtë guxim për të shkatërruar gjithë shërbimin, ndoshta kanë interesat e tyre, nuk e kuptojmë," thotë një tjetër.