Shmanget rreziku në Kalimash/ Tuneli i kalueshëm, Meta e ministri i Kosovës në Kukës, sot ndërhyrja më e gjerë
Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin e Kalimashit, sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë.
Forca zjarrfikese nga Kukësi, Kosova, Shkodra e Hasin kanë shkuar atje për të shuar flakët që pasditen e djeshme krijuan një situatë vërtet alarmante për shkak dhe përhapjes nga era.
Edhe presidenti Ilir Meta u nis pas mesnatës në Kalimash për të monitoruar nga afër situatën.
"Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt.
Falenderim për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës" informoi presidenti në një postim në facebook në orët e para të mëngjesit.
Mbrëmë në Kalimash mbërriten si trupat e Forcës së Sigurisë por dhe zjarrfikësit nga Kosova.
Me ta ishte edhe ministri i Brendshëm i Kosovës.
Mbrëmë u njofua se në mëngjes do niste dhe ndërhyrja nga ajri.