Policia arreston piromanët në Fier, Elbasan e Librazhd
Dy persona janë arrestuar në Fier nën akuzën e zjarrëvënies së qëllimshme. Arben dhe Zarif Muskaj kanë rënë në prangat e policisë pasi dyshohet se kanë shkaktuar zjarrin në fshatin Gjorgez.
Arrestimi i tyre është bërë i mundur pas hetimeve policore, ndërsa të dy personat e lartëpërmendur akuzohen se janë shkaktarët edhe të një zjarri tjetër në Kreshpan.
Zjarret e vëna nga Arben dhe Zarif Muskaj kanë shkrumbuar dhjetëra hektarë shkurre dhe pyje në Fier.
Ndërkohë operacioni për arrestimin e pirromanëve kanë vijuar edhe në Elbasan.
Nexhip Hortja nga Belshi kishte ndezur një zjarr për të djegur mbeturinat, por ai ka dalë jashtë kontrollit duke shkaktuar djegien e 450 rrënjëve ullinj.
Hortja është arrestuar nga blu e Elbasanit ndërsa do të përballen me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr.
Në Librazhd është shpallur në kërkim Riza Duka, i cili dyshohet se ka djegur disa pyje dhe shkurre atje.
Nga ana tjetër policia e Kukësit vuri në pranga një 47 vjeçar i identifikuar si Ekrem Onuzin, pasi ai dyshohet se i ka vënë flakën malit të Gjallicës. Në momentin e Arrestimit Onuzit i janë gjetur edhe një kallashnikov dhe dy karikatorë.
Ndërkohë të shtunën një 42 vjeçar i identifikuar si Bexhet Sinaj, është shpallur në kërkim si autori i dy zjarrvënieve të qëllimshme në fshatin Gjormë të Selenicës.
Të paktën 9 persona janë vënë në pranga dhe rreth 40 të tjerë janë vënë nën hetim nga Policia si zjarrvënës këtë verë, konfirmuan burime nga policia e Shtetit.
3 persona u vunë nën këtë akuzë vetëm të shtunën në Gjirokastër si autorë të zjarreve në fshatrat Mashkullorë, Llovinë dhe Qesorat, ndërsa nje tjetër për zjarrvënie në Lezhë.
