PD u tregon shqiptarëve me video: Shikoni si korrupsioni që ka shkrumbuar financat e shtetit po ju lë pa mbrojtje

Keqmenaxhimi, paaftësia, shpërdorimi i detyrës, korrupsioni janë elementët që fatkeqësitë natyrore kanë nxjerrë përherë në pah, duke rrëzuar propagandën hileqare të regjimit denoncon Grida Duma në rrjetet sociale në facebook ku ka përgatitur dhe një videomontazh.

Ndërkohë që në 2018 ministrja e atëhershme Olta Xhaçka deklaronte se infrastruktura e Forcave të Armatosura  ishte përforcuar me helikopterë me kova të posaçme me kapacitet 2 500 litra, Sot, Shqipëria ka mbetur vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve dhe një tjetër që përdoret për shëtitjet e Edi Ramës, shkruhet në postimin e deputetes së zgjedhur demokrate. 

“Korrupsioni që ka shkrumbuar financat e shtetit i ka lënë qytetarët dhe pasuritë natyrore pa mbrojtje, ndërsa punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë detyrohen të përballen me zjarrin me mjete rrethanore.

Mashtrimet e përsëritura ndër vite dhe propaganda e paguar me taksat e qytetarëve nuk fshehin dot as dështimet, as dëmet që modeli  korruptiv i ndërtuar nga Edi Rama po i shkakton vendit“ shkruan Duma ndërsa paralajmëron nëse ky model nuk ndëshkohet, Shqipëria do të lëngojë nga kriza në krizë për shkak të një pakice që punon vetëm për veten, jo për shqiptarët.