Sekuestrohen 23 kg kanabis në Pogradec, mes të arrestuarve 1 polic, 3 në kërkim
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Hudënishti” janë vënë në pranga dy persona dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë.
23 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit është kapur gjatë këtij operacioni.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Pogradec, u arrestua në flagrancë Rexhep Toshi, 44 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. I., 48 vjeç, S. O., 44 vjeç dhe M. T., 32 vjeç.
Gjithashtu në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat është ndaluar edhe efektivi i policisë Blenard Vathi, 35 vjeç.
Në bazë të informacioneve të grumbulluara gjatë periudhës hetimore 2-mujore se disa persona, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike dhe synonin të trafikonin një sasi droge jashtë vendit, forcat e policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të sasisë prej 23 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
