Shqipëria nën pushtetin e flakëve, riaktivizohet zjarri në Dukat të Vlorës, vatra të reja në Fier e Lezhë

Retë e tymit mbi fshati Dukat në Vlorë treguan të dielën riaktivizimin e një vatre zjarri të rrezikshme.

Erërat e forta ndihmuan flakët që të përhapen më tej për të disatën ditë me radhë, ndërsa qindra hektarë janë shkrumbuar në Karaburun.

Pavarësisht se helikopteri i ardhur nga Holanda ka punuar orë pas ore, vatrat e zjarrit nuk janë shuar në Dukat.

Banorët i druhen më të keqes, zjarrit në Llogara.

"Llogaraja është, po vajti zjarri atje jo ne si banorë që rojmë kot, po as Shqipëria nuk kalon më në Llogara."

E njëjta panoramë duket se është edhe në Fier, flakët vazhduan edhe në fshatin Gjorgoz në një vatër të re. Dhjetëra hektarë pyll me pisha janë shkrumbuar dhe sipërfaqe të tëra vazhdojnë të jenë nën flakë.

Për shuarjen e zjarrit këtë të dielë është kërkuar ndërhyrja e helikopterit ose e forcave të ushtrisë.

Ndërkohë  zjarrfikësit dhe Banorët në Malin e Cakranit punuan në kushte të vështira të dielën pa asnjë mjet për shuarjen e zjarrit.

Një tjetër vatër është shfaqur në Radostinë të Fierit, ku zjarri është përhapur në të gjithë sipërfaqen e kodres në këtë zonë duke djegur  ullishte.

Edhe në Lezhë janë regjistruar në fundjavë disa vatra zjarri.

Në fshatin Lalm ka të paktën dy vatra zjarri, ndërsa terreni i thyer malor e bën të vështirë ndërhyrjen.

Për të përballuar situatën e rëndë me zjarret, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim ka njoftuar se këtë fundjavë kanë mbërritur në vendin tonë ekspertët amerikanë të luftës kundër zjarreve.